TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE. Ai thotë se Shqipëria do të mbështesë në vijim procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të jem dot më krenar se kaq për kontributin e fortë dhe konkret të Shqipërisë në vazhdimësinë e procesit të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, projektstatuti i AKShM-së, që Kosova dhe Serbia kanë pranuar si dokument të përshtatshëm pune, është draft i BE-së. ”, tha Rama.
Shefi i qeverisë shtoi se Shqipëria do ta mbështesë fuqimisht Kosovën për zbatimin e marrëveshjes themelore dhe do të vijojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Mes tjerash, Rama paralajmëron edhe një vizitë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, për të treguar siç thekson ai mbështetjen e tij personale në këtë proces.
“Shqipëria mbështet fuqimisht Kosovën për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të nxitur paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal midis të gjitha vendeve të rajonit tonë. Së shpejti, do të jem në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time.”, shkroi Rama më tej./ n.m.abcnews.al