Seanca paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurit e tjerë, të akuzuar për aferën korruptive të dosjes së kompleksit “Partizani” po mbahet sot në GJKKO.

Vendimi për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’ me të akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe 3 të tjerë, do të shqyrtohet sot nga gjyqtarja Flojera Davidhi.

Seancën e 24 tetorit gjyqtarja Flojera Davidhi, pranoi kërkesën e mbrojtjes për ta shtyrë shqyrtimin me qëllim që t’i jepej kohë palës mbrojtëse për tu njohur me dosjen.

Bëhet fjalë për 333 fashikuj, me 160 mijë faqe.

Pas katër vitesh hetime për aferën Partizani, SPAK dërgoi dosjen me 5 të pandehur në GJKKO, ku kërkon nisjen e gjykimit.

Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Jamarbër Malltezi  akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin partizani që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash.

Biznesmeni Fatmir Bektashi është i pandehur për korrupsion aktiv, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” për pastrim parash, ndërsa Andia Pustina, financierja që kreu operacionet financiare e ligjore të “Homeplan”, po ashtu në akuzë për pastrim parash.

Top Channel