Ku ka jetuar bosi i bosave të mafias siçiliane?

Ku është transferuar?

Kush do ta zëvendësojë?

RTV Ora e Ora News zbardh detaje të reja nga arrestimi historik i arrestimit të një prej mafiozëve më të rrezikshëm në Itali e në botë, Matteo Messina Denaro.

Autoritetet policore italiane kanë informuar mëngjesin e sotëm se kanë identifikuar e kanë vënë në sekuestro banesën e fundit ku ka jetuar Matteo Messina Denaro, bosi i bosëve të mafias siciliane “Cosa Nostra”, i arrestuar një ditë më parë në një klinikë shëndetësore në qytetin e Palermos.

Banesa ndodhej në komunën Campobello di Mazara, që është dhe vend origjina e shoferit të bosit të Cosa Nostras, Giovanni Lupino, i cili u arrestua një ditë më parë bashkë me të e në akuzën e favorizimit të një personi të kërkuar nga drejtësia italiane.

Për momentin është zbardhur se në banesën e Matteo Messina Denaro janë gjetur parfuma të shtrenjtë, veshje të brandeve me emer e mobilje lluksoze , por jo armë, e as materiale kompromentuese, të paktën për momentin.

Gjithashtu, është zbuluar dhe lokaliteti ku është pozicionuar burgu ku do të qëndrojë për momentin bosi i bosave të Cosa Nostra.

Me një helikopter i nisur nga Palermo, Matteo Messina Denaro është transferuar në qytetin e Aquillas në një burg të sigurisë së lartë, por burime konfidenciale pohojnë për RTV Ora e Ora News se mund të jetë një pozicionim i përkohëshëm. Mendohet se rajoni i Abruzzo-s, ku ndodhet dhe Aquila nuk ka struktura të përshtatshme për kurimin e specilizuar që kërkon sëmundja e tij.

Në Konferencën për shtyp të mbajtur në Prokurorinë e Palermos, Prokurori Maurizio De Lucia, ka zbardhur disa detaje të rëndësishme të operacionit.

“Për suksesin e tij, përgjimet ambientale e telefonike kanë qënë thelbësore”, u shpreh prokurori.

Ai ka deklaruar se Cosa Nostra është gati të zëvendësoj Matteo Messina Denaro. Organizimi i Cosa Nostra është i tillë që ka gati se kush do të jetë kapo i rradhës e se kush do të jetë pika e referimit të saj për aferat e mëdha që kjo mafia ka në botë.

“Një mafia e tillë që gjithmonë ka ekzistuar në bazë të rregullave do të vazhdoj të jetoj në bazë të këtyre rregullave”, ka deklaruar prokurori De Lucia.

Ai ka shtuar se: “Cosa Nostra është një mafia që ka një organizim unik i komanduar nga një kapo e objektivi i saj është e mbetet të individualizoi kapo të rinj e struktura të reja drejtuese”.