Një person është arrestuar, pasi i është gjetur drogë që kap vlerën e rreth 300 mijë eurove, njoftoi Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, H.K (1994), u arrestua në Prizren më 11 gusht dhe gjatë kontrolleve të realizuara në dy lokacione, autoritetet gjetën substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, në peshë totale prej 4 kilogramë e 440 gramë.

I arrestuari, pas intervistimit, është dërguar në ndalim policor prej 48-orësh.“Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në 300 mijë euro”, u tha në njoftimin e Policisë.

Autoritetet po ashtu thanë se në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar edhe peshore elektronike, 260 euro para të gatshme, pajisje për vakumimin e qeseve plastike, telefon dhe një motoçikletë, teksa Policia shtoi po vazhdon hetimet për këtë rast.