“Mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi shtesë dhe retorika provokuese”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, për tensionet e krijuara prej 4 ditësh në veri të Kosovës.
Në një intervistë për France 24, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka komentuar tensionet në Kosovë dhe ka thënë se forcat e NATO-s janë në gatishmëri, si dhe se po bashkëpunojnë ngushtë me BE-në.
“NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it numërojnë më shumë se 4000 ushtarë dhe ata luajnë një rol kyç në stabilizimin e situatës”, tha Stoltenberg.