Serbia, falë fitores së djeshme me Portugalinë, u kualifikua për ndeshjet finale të Botërorit 2022, në Katar. Goli në minutën e fundit nga Aleksandër Mitroviç i dha fitoren ekipit serb.
Mirëpo, gjatë festës, serbët duket se nuk janë ndarë dot pa përfshirë edhe Kosovën. Në bluzat e tyre të festës ata kanë stampuar hartën e Serbisë, por aty kanë përfshirë edhe Kosovën. Gjithashtu, në të gjitha fotot që ata kanë postuar, futbollistët serbë shihen me tre gishtat lart. Gjesti i tre gishtave është një simbol ekskluziv serb, i cili në vitet e fundit ka marrë ngjyrime të forta nacionaliste, pasi u përdor në masë nga forcat paramilitare serbe në luftë, fillimisht kundër myslimanëve.
Futbollistët serbë duket se nuk e kanë mësuar se Kosova është një shtet i pavarur dhe ka ekipin e saj në futboll, që dje barazoi me Greqinë dhe bëri një lojë të bukur.