Kryeministri malazez ka shprehur mbështetjen për këtë nismë rajonale. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e ka ftuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviçin, që t’i bashkohet iniciativës së “Ballkanit të Hapur”.
Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Vuçiç ka thënë se ka shfrytëzuar takimin me Abazoviçin për të diskutuar për çështjet dypalëshe, por edhe për ftesën për iniciativën e Shqipërisë, Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut.
Nisma “Ballkani i Hapur” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 Tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve, nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale. Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviç ka shprehur mbështetje për këtë nismë.
Për takimin me presidentin serb, Abazoviç ka bërë të ditur se raportet ndërshtetërore janë prioritet dhe se Mali i Zi është i gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët.