“Ushtrisë së Kosovës i duhen buxhet 10 miliardë euro. Buxheti i tanishëm prej 100 milionë eurosh nuk mjafton që të kemi një ushtri të aftë për mbrojtje ndaj agresorëve të mundshëm. Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerr një ligj për një fond për ndihmë ndaj Ushtrisë së Kosovës.

Për donacione të shqiptarëve kudo që janë, në trojet e veta etnike apo në diasporë, për Ushtrinë e Kosovës”. Kjo deklaratë e kreut të AAK-së, ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj ka sjellë reagimin e shpejtë nga Serbia. Një pjesë e mediave në Beograd kanë komentuar thirrjen e Haradinajt.

“Novosti” shkruan se shqiptarët po fuqizohen. “Shqiptarët planifikojnë ngritjen e fondit të blerjes së armëve. Ideja është hedhur nga Ramush Haradinaj” shkruan gazeta serbe.

Ljuban Karan, një ish-oficer i kundërzbulimit ushtarak serb theksoi se armatosja e forcave shqiptare të sigurisë në Kosovë sado e rrezikshme të jetë, “nuk është i vetmi kërcënim për Serbinë dhe popullin serb”. Sipas tij, ekziston një rrezik më i madh që të krijohet atmosferë që “Ushtria e Kosovës” të jetë në mesin e anëtarëve të NATO-s në të ardhmen.

Ndërkohë që “Novosti” shkruan se “ndër donatorët më besnikë, të Ushtrisë së Kosovës është Turqia, por edhe Kroacia dhe disa shtete perëndimore. Deri më tani në Prishtinë kanë mbërritur kryesisht automjete luftarake, armatim këmbësorie dhe pajisje”.