Pushtimit të alienëve i ka ardhur fundi në Fortnite, dhe tani ishulli është i mbushur plot me kube. Sezoni i 8 i kësaj loje sapo u lançua dhe quhet thjesht “Cubed”.
Historia e shfaqjes së këtyre kubeve, sipas një zhvilluesi në Epic Games, është çlirimi i tyre nga anija gjigande aliene (në të cilat shërbenin për të siguruar fuqinë lëvizëse) për të shkaktuar probleme në ishull.
Njësoj si të gjithë sezonet e reja, dhe ky update vjen me një kombinim mes karaktereve, vendndodhjeve dhe armëve të reja, madje tashmë portalet mund të transportojnë lojëtarët në një mbretëri të mbushur me përbindësha.
Ndryshimi më i madh në këtë sezon duket të jetë elementi i ri i quajtur “The Sideways”, i cili përshkruhet si “një realitet i errët, keqdashës dhe i tejmbushur me përbindësha”. Pasi ju të futeni në portale, do të transportoheni në një botë me gravitet të ulët dhe pa ndërtesa, e cila do të prekë disa vende të ndryshme në ishull. Lojëtarët do të kenë mundësinë të grumbullojnë një komponent të ri crafting i cili do të përdoret për krijimin e armëve superpowered “sideways”.
Gjithashtu sezoni i ri nënkupton publikimin e një battle pass të re për t’u blerë, dhe kësaj here ajo përfshin karaktere të rinj si Carnage, një përbindësh i quajtur Torin, një ushtar i quajtur J.B Chimpanski, dhe njëbrirëshin Fabio Sparklemane.