Prodhimi vendas i rrushit, tashmë edhe në serra, po dominon gjithnjë e më tepër, jo vetëm në furnizimin e tregut vendas por edhe në eksporte.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, u shpreh se, “jemi në sezonin e eksportit të rrushit të tavolinës”.
Falë mbështetjes së AZHBR-së, përmes programit IPARD, fermerët kanë zgjeruar investimet në plantacionet me vreshta. Gjithashtu po shtojnë e serrat, për kultivimin e rrushit të tavolinës, duke shtuar ndjeshëm prodhimin dhe dyfishuar eksportet e rrushit.
Me mbështetjen nga programi IPARD II ata kanë investuar në përmirësimin e teknologjisë nëpërmjet përdorimit të mekanikës bujqësore, duke rritur prodhimin dhe përmirësuar ndjeshëm standardet e fidanëve të rrushit.
Krifca theksoi se “sot rrushi “made ia Albania” nga fermat tona shkon në supermarketet e Europës, falë një zinxhiri të mirë organizuar, fermerë- përpunues- shitës”.
Mbi 11 mijë ha vreshta të shtrirë në të gjithë territorin, kanë bërë të mundur që prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, të arrijë rreth 190 mijë tonë rrush.
Ndërsa vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendiment të larta.
Zonat kryesore të prodhimit të rrushit gjenden mes kodrave dhe bregdetit të Shqipërisë Qendrore. Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora, janë qarqet me përqindjen më të madhe të prodhimit; këto katër qarqe japin më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të rrushit.
Rrushi i prodhuar në serra i cilësisë së parë shitet kryesisht në Kosovë, Kroaci, Rumani, Slloveni, Serbi, Mal të Zi.
Ndërkohë importet kanë rënë në mënyrë domethënëse nga viti në vit. /j.p/