Ky sezon ka qenë i mbarë për kulturën e ullinjve, por në qarkun e Elbasanit I cili konsiderohet si një nga epiqëndrat për kultivimin e ullirit fermerët po hasin vështirësi për gjetjen e tregut dhe të fuqisë puntore për vjelje. Të kontaktuar nga Egnatia news shumë prej tyre thonë se fuqia punëtore mungon. Thuajse në të gjithë kodrat e bashkisë së Elbasani sipërfaqet janë të mbjella me ullinj dhe prodhimi ka qenë i mbarë, por sërish fermerët përballen me probleme. Pavarësisht bujarisë së natyrës, fuqia punëtore mungon ndërsa kultivuesit e bimës ankohen edhe për mungesë tregu.
“Fermerët e Elbasanit thonë se punojnë shumë dhe po ashtu kanë shpenzuar shumë por kur ka ardhur koha e vjeljes nuk kanë krah pune. Shqetësuese sipas fermerëve të Elbasanit është fakti se nuk ka pika grumbullimi ndaj kur prodhimi është I bollshëm atyre iu mbetet stok.Ka dhe nga ata, që në mungesë të fitimit, thotë se do të heqin dorë nga kultivimi i ullirit.Përballë mungesës së tregut dhe rritjes së kostove, ata thonë se nuk e kanë rritur çmimin e ullirit.
Prodhimi i ullirit në vendin tonë arriti në 110.164 tonë, vitin e kaluar duke shënuar një rritje me 2 %, krahasuar me një vit më parë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 34.241 tonë pasuar nga qarku Elbasan me 21.102 tonë. Shqipëria ka afro 11 milionë pemë ulliri, ku afro 8 milionë pemë llogariten në prodhim.
Krahas zgjerimit të sipërfaqeve të mbjella me ullinj, në vendin tonë është rritur ndjeshëm edhe prodhimi i vajit të ullirit.
Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është i bazuar kryesisht në biznese familjare. Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj ulliri, ndërsa konsumi i vajit të ullirit për frymë është afro 7.1 litra/vit./Egnatia news