Në modelet e prodhimit masiv të disa produkteve kanë lindur edhe disa “oaze” të veçantë të produkteve me vlerë të lartë të shtuar.
Shafran nga Tirana, që këtë vit do të prekë eksportin; boronica Tropoje, të cilat kanë interes për blerje brenda vendit, aq sa përtej detit në Italinë fqinje; gjalpë arroresh me bajame të Beratit, apo arra e Dibrës. Të gjitha këto “oaze” kanë lindur e po rriten në vend, duke treguar një model sesi mund të prodhohet me vlerë të lartë. Përballë këtyre rasteve sporadike të suksesit me ferma e sipërmarrje jo shumë të zakonshme ka përpara edhe sfida. Eksporti nuk është i lehtë kur sasia është e vogël, ndërkohë që mungojnë pikat e grumbullimit për produkte të veçanta. Të gjitha këto disa pika kanë nevojë për reflektim dhe orientim, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga tendenca drejt produkteve me vlerë të lartë dhe interesi për t’u ushqyer shëndetshëm i cili u forcua më shumë gjatë pandemisë.
Në amullinë e një bujqësie pa orientim të qartë, pa organizim, me parcelizim të lartë, fermerët shqiptarë vuajnë herë gjetjen e tregut, herë dilemën e kultivimit, herë pasojat e një zgjedhjeje të “gabuar”. Sigurisht, shembujt e suksesit nuk mungojnë, por ato mbeten në numër të vogël, duke e bërë të dukshme nevojën për më shumë vëmendje në politika dhe mbështetje.
Në modelet e prodhimit masiv të disa produkteve kanë lindur edhe disa “oaze” të veçantë të produkteve me vlerë të lartë të shtuar. Të tjerë kanë avancuar edhe drejt hallkës tjetër në këtë zinxhir, siç është përpunimi. Ende të vegjël, por me një synim të qartë që produktet të jenë të veçantë. Mund të gjesh nga Veriu në Jug ferma, apo nisma që për Shqipërinë tregojnë se ka hapësira të pashfrytëzuara. Ato mund të kthehen në modele më masive dhe në finale, rezultojnë në më shumë të ardhura të shpërndara në të gjitha hallkat.
Si një fermë e vogël shafrani në Tiranë po arrin ambicien drejt eksportit
Kultivimi i shafranit në Shqipëri nuk ka një historik të gjatë. Rasti i parë si një nismë private nisi në vitin 2016, në zonën e Dumresë dhe prej asaj kohe, mund të hasësh tek-tuk raste sporadike. Jo shumë larg nga Tirana, në Petrelë, Blerta Feka vendosi të punojë tokat e familjes të lëna djerrë. Pasi plotësoi me dokumentacionin e nevojshëm parcelat për të fituar pronësinë (një ngërç që haset thuajse kudo me tokat në fshat) dilema e radhës ishte kultura që do të kultivohej.
“Pasi arrita të regjistroj një pjesë të mirë të parcelave që zotëroja fillova të mendoj se me çfarë mund t’i ktheja funksionale dhe pse jo fitimprurëse ato. Babai im është agronom dhe ishte një ndihmë e madhe në përzgjedhjen e bimës, duke qenë se i njihte shumë mirë tokat e fshatit.
Shafrani, prej pak vitesh ishte i njohur në Shqipëri. Kultivuesi nga Dumreja kishte folur shpesh në lidhje me bimën që po kultivonte dhe ne vendosëm ta provonim.
Filluam me vetëm 100 m² për të parë nëse bima mund të rritej në tokat tona dhe sot kemi mbi 5000 m² të mbjellë me shafran” – pohon ajo. Shafrani konsiderohet si bima e mrekullive për vlerat që mbart. E përdorur në një sërë alternativash në çaj, ushqim e kozmetikë, vlerësohet si një nga erëzat më luksoze. Dhe për një cilësi të mirë, çmimi në treg i një kilogrami kap vlera jashtëzakonisht të larta.
“Çmimi i 1 gram varion nga 1000 lekë deri 2500 lekë në varësi të cilësisë së tij. Në tregun europian, një kilogram mund të shkojë nga 3 mijë deri në 10 mijë dollarë” – nënvizon Blerta. Këtë vit, në tetor, ferma parashikon që të nisë eksportin, duke hapur një tjetër kapitull për të. Kultivimi i shafranit në vend, sipas Blertës, mund të jetë një formë e mirë nga e cila mund të përfitojë bujqësia në vend, duke orientuar edhe të tjerë drejt prodhimit dhe shembullin e përfitimit Shqipëria nuk e ka larg, mjafton të hedhë sytë nga Greqia./Burimi:Monitor