
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë zhvillojnë sot në Paris një raund bisedimesh të rëndësishme me fokus përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në një nga angazhimet më të larta transatlantike që nga fillimi i vitit.
I dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe senatori Marco Rubio, i cili vepron aktualisht si kryediplomati amerikan në këtë proces, do të takohen me homologët e tyre nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania. Në takim do të marrë pjesë edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy.
Ky takim vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon të marrë jetë, siç u dëshmua së fundmi nga sulmet me raketa ruse që shënuan viktima.
Witkoff pritet të raportojë për një takim të tij të zhvilluar javën e kaluar me presidentin rus Vladimir Putin, një takim që sipas Departamentit Amerikan të Shtetit synon të shfrytëzojë çdo kanal të mundshëm për të ndalur luftimeve.
Sipas burimeve diplomatike, përfaqësuesit evropianë do t’i kërkojnë Uashingtonit të ushtrojë presion më të madh ndaj Moskës, për të detyruar një armëpushim pa kushte.
Pas takimeve me presidentin Emmanuel Macron dhe ekipin e tij, Rubio dhe Witkoff do të zhvillojnë gjithashtu bisedime të ndara me zyrtarë të lartë francezë dhe gjermanë, si dhe me këshilltarët e sigurisë kombëtare evropianë.
