Pajisje mjekësore në vlerën 1 milion dollar u dhuruan sot nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të rritjes se kapaciteteve spitalore për përballimin e pandemisë. Në ceremoninë e organizuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ishin të pranishme Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, si dhe Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.
“Dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë, siç është populli amerikan, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë vendet të cilat na kanë mbështetur dhe kanë treguar solidaritetin e tyre, në një kohë totalisht të pazakontë. Përpjekjet tona përgjatë këtyre 15 muajve kanë qenë shumëplanëshe, ja kemi dalë që ti përgjigjemi situatës duke punuar për të forcuar të gjithë nivelet e sistemit tonë shëndetësor, duke filluar me rritjen e kapaciteteve laboratorike, duke synuar për të krijuar një rrjet të survejancës dhe të izolimit të rasteve, me qëllim kufizimin e përhapjes së infeksionit; kemi ndërtuar kapacietete të reja spitalore për t’iu përgjigjur situatës dhe për të mos lënë asnjë qyetetar pa shërbim. Dhe i’a kemi dalë, falë angazhimit të mjekëve dhe infermierëve, të cilët për asnjë moment të vështirë nuk u dorëzuan”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar gjatë fjalës së saj se, së shpejti pritet të vijë një sasi e konsiderueshme vaksinash dhe do të ulët fasha e vaksinimit.
“Nuk do të ndalemi derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. Aktualisht në Shqipëri kanë mbërritur në shumë se 960 mijë doza vaksine dhe në ditët në vijim pritet të kemi një sasi të konsiderueshme të vaksinave, të cilat do të sigurojnë edhe hapjen e fashës së grupmoshave, në mënyrë që më shumë qytetarë të vaksinohen “, deklaroi Manastirliu.
Duke folur për vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e kufizimeve për udhëtimin e qytetarëve nga Shqipëria, Manastirliu tha: “Lajmi i mirë që kemi marrë sot është që Shqipëria së bashku me 8 vende të tjera jashtë Bashkimit Europian klasifikohet për heqjen e kufizimeve të udhëtimit për udhëtarët jashtë Bashkimit Europian. Dhe ky patjetër që është një lajm i mirë. Por duhet sërish të kemi kujdes dhe çfarë është e rëndësishme për ne si sistem shëndetësor është vijimi i mbajtjes në gatishmëri i të gjithë sistemit”.
Ambasadorja Yuri Kim gjatë fjalës së saj, e konsideroi Shqipërinë një model suksesi në përballimin e pandemisë Covid19.
“Ndodhemi këtu sot për të dhuruar rreth 1 milion dollarë në pajisje mjekësore, si frigoriferë mjekësore, shtretër spitalorë, pajisje monitorimi. Ky donacion është financuar nga Komanda Ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë. Si një rezidente e përkohshme e Shqipërisë jam shumë krenare për faktin që Shqipëria ka nivelin më të ulët të sëmundshmërisë nga Covid19, por gjithashtu një nga nivelet më të larta të vaksinimit të popullatës. Duke pasur parasysh që për pjesën më të madhe të Botës Shqipëria nënvlerësohet, unë jam këtu një dëshmitare e cila mund të vërtetojë që falë jush, madje mund të vërtetoj që populli shqiptar falë jush, falë përpjekjeve tuaja mund të jetë një model për gjithë Botën”, tha ambasadorja Yuri Kim.
Nga mbështetja e SHBA janë dhuruar shtretër dhe dyshekë për strukturat spitalore, Echo ultrasound, aparat grafie, frigorifer me temperaturë shumë të ulët për ruajtjen e Vaksinave antiCovid19, mjete të mbrojtjes personale për mjekët dhe infemierët etj, me vlerë 1 milion dollarë.
fax web