Zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar ka reaguar i tronditur për sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Zëvendës ndihmës sekretar amerikan i shtetit njëherazi i dërguari special në DASH për Ballkanin Perëndimor tha për Top Channel se ambasadorja amerikane është përfaqësuese e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
“Jam i tronditur nga sulmet ndaj ambasadores tonë të SHBA në Tiranë. Ne e dimë se ofensiva e këtyre sulmeve nuk përfaqëson popullin shqiptarë. Ambasadorja Kim është përfaqësuese personale e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Siç edhe zëdhënësi Departamentit të Shtetit e bëri të qartë në Dhjetor ne presim prej saj të vazhduarit të shpjeguarit dhe zbatuarit të politikave të SHBA, përfshi ato të Presidentit Biden përfshi vendosmërinë që ne do të vendosim përpara përgjegjësisë ata të përfshirë në korrupsion e minojnë demokracinë”, tha Escobar, i pyetur nga gazetari Muhamed Veliu.
Escobar tha se nuk ka gjasa që të ndryshojë vendimi për një person të shpallur non grata për korrupsion madhor apo minim të drejtësisë.
“Pozicioni ynë në lidhje me të shpallurit non-grata për korrupsion apo minojnë demokracinë është i qartë, i vendosu, i fortë dhe i pandryshuar”, u shpreh ai.
Berisha e ka sulmuar vazhdimisht ambasadoren e SHBA në Tiranë Yuri Kim, që pasi u shpall non-grata nga departamenti amerikan i shtetit. Ish-kryeministri e ka quajtur Kim si një “guvernatore” që ndërhyn në politikat e brendshme në mbështetje të qeverisë.