SHBA-ja ka arritur një ritëm rekord për vrasjet masive në vitin 2023, duke përsëritur tmerrin e vrasjeve afërsisht një herë në javë deri tani këtë vit.
17 vrasje masive kanë marrë jetët e 88 personave gjatë 111 ditëve. Çdo herë, vrasësit i kishin blerë armët e zjarrit. Vetëm në vitin 2009 u shënuan po kaq tragjedi të tilla në të njëjtën periudhë kohore.
Fëmijë në një shkollë fillore në Nashville, u qëlluan me armë në një të hënë të zakonshme. Fermerët në Kaliforninë Veriore, u vunë nën zjarrin e plumbave për shkak të një zënke në vendin e punës. Persona që festonin Vitin e Ri Hënor në një sallë vallëzimi në afërsi të Los Anxhelosit, u masakruan.
Vetëm në javën e fundit, katër pjesëmarrës të një feste u vranë dhe 32 u plagosën në Dadeville të shtetit Alabama, kur breshëria e plumbave u dëgjua në një ditëlindje e një 16 vjeçari. Një person i sapo liruar nga burgu qëlloi për vdekje katër të tjerë, përfshirë prindërit e tij, në Bowdoin të shtetit Maine, përpara se të hapte zjarr ndaj shoferëve që udhëtonin në një autostradë të ngarkuar ndërshtetërore.
“Askush nuk duhet të habitet,” tha Fred Guttenberg, vajza 14-vjeçare e të cilit Jaime ishte një nga 17 personat e vrarë në një shkollë të mesme në Parkland, të Floridës, në vitin 2018. “Unë e vizitoj vajzën time në varrezë. Indinjata është më e pakta që unë ndjej”.
Sipas të dhënave të mbajtur nga agjencia Associated Press dhe USA Today, në partneritet me universitetin Northeastern, viktimat në shkollën Parkland janë ndër 2,842 personat që janë vrarë në vrasjet masive në SHBA që nga viti 2006. Të dhënat mblidhen për vrasjet që përfshijnë katër ose më shumë vdekje, pa përfshirë autorin, i njëjti standard si FBI-ja.