Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) lëshoi autorizimin për përdorim urgjent të terapisë me antitrupa kundër COVID-19, të kompanisë farmaceutike Regeneron, i njëjti trajtim eksperimental që iu dha Presidentit Donald Trump dhe që ai tha se e ndihmoi të shërohej nga sëmundja.
FDA-ja tha se antitrupat monoklonalë duhet të përdoren për trajtimin e pacientëve, fëmijë apo të rritur, me simptoma të buta e mesatare të COVID-19-s, te të cilët sëmundja rrezikon të përparojë në simptoma më të rënda. Kjo përfshin dhe trajtimin e personave që janë 65 vjeç e sipër apo ata me disa sëmundje kronike të caktuara. Trajtimi është pjesë e një lloji barnash të njohura si antitrupa monoklonalë, që janë kopje të prodhuara të antitrupave që prodhon trupi i njeriut për të luftuar infeksionet.
I ashtuquajturi “kokteji i antitrupash”, Regen-COV2, që përmban një antitrup të prodhuar nga kompania dhe një të dytë të marrë nga njerëzit e shëruar nga COVID-19, është prodhuar në mënyrë të tillë që të dy antitrupat të lidhen me proteinat e koronavirusit për ta parandaluar atë të hyjë në qelizat e shëndetshme të njeriut. Regeneron tha se provat klinike me pacientë që nuk janë të shtruar në spital, sugjerojnë se antitrupat monoklonalë, si REGEN-COV2, japin rezultate më të mëdha kur administrohen menjëherë pas diagnozës dhe tek ata pacientë, të cilët sistemi imunitar i tyre ende nuk ka reaguar ndaj sëmundjes apo me ngarkesë të lartë virale.