Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me kryeministrin e rrëzuar nga pushteti në Sudan, Abdalla Hamdok, pasi liderët ushtarakë që kanë marrë pushtetin, ia kanë mundësuar atij kthimin në shtëpi.https://60ee061006e6dbe22d7b025b5688aee6.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Blinken, në një bisedë telefonike, ka mirëpritur lirimin e Hamdokut dhe “ka përsëritur thirrjen ndaj forcave ushtarake të Sudanit që të lirojnë të gjithë liderët civilë dhe të garantojnë sigurinë e tyre”.

Blinken është shprehur “tejet i shqetësuar” nga veprimet e ushtrisë në këtë vend afrikan dhe i ka bërë thirrje ushtrisë që të tregojë përmbajtje kur përballet me protestuesit, ka thënë Price përmes një deklarate.Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është duke analizuar se çfarë masa ekonomike mund të marrë për t’iu përgjigjur veprimeve ushtarake.

Administrata amerikane veçse ka njoftuar se do të bllokojë 700 milionë dollarë si ndihmë për Sudanin.

Edhe shtete tjera perëndimore kanë dënuar puçin ushtarak, kanë bërë thirrje për lirim të ministrave të kabinetit dhe kanë thënë se do të ndalin ndihmën financiare, nëse nuk ndahet pushteti me civilët.

Shefi i forcave të armatosura të Sudanit, Abdel-Fattah Burhan, ka thënë se ushtria ka marrë pushtetin më 25 tetor, për të parandaluar “luftë civile”.