Shefi i Shtabit të SHBA-së gjenerali Mark Milley, njoftoi se me “shpejtësi” janë bërë plane për të evakuuar afganët që punojnë për ushtrinë amerikane.
Sipas lajmit të BBC-së, gjenerali Milley u shpreh se një numër i “rëndësishëm” i përkthyesve dhe punonjësve afganë që mbështesin SHBA-në mund të vendosen në objektiv nga militantët talebanë.
Ai njoftoi se e dinë se shumë afganë që mbështesin SHBA-në dhe koalicionin mund të ndodhen nën rrezik. Milley njoftoi më tej se me “shpejtësi” janë bërë plane për të evakuuar afganët, përfshirë përkthyesit që punojnë për ushtrinë amerikane përpara se SHBA-ja të tërheqë trupat e saj ushtarake nga Afganistani deri në muajin shtator.
Gjenerali Milley theksoi se është një detyrë shumë e rëndësishme që të bëhet ajo që është e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e përkthyesve dhe punonjësve afganë dhe për të siguruar që ata të dalin jashtë vendit nëse dëshirojnë.
Janë zhvilluar plane jo vetëm për përkthyesit, por lidhur me shumë persona që punojnë me SHBA-në, tha Milley, duke shtuar se institucionet po interesohen lidhur me çështjen.
Rreth 18 mijë shtetas afganë që kanë aplikuar për vizë për të migruar në SHBA në kuadër të një programi të veçantë, prej vitesh janë në pritje të përgjigjes për aplikimet e tyre.
Procesi i tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani
Administrata e SHBA-së më 29 shkurt 2020 arriti marrëveshje me talebanët dhe u dakordua me talebanët se do të tërhiqej plotësisht nga Afganistani më 1 maj 2021.
Por administrata e presidentit Joe Biden njoftoi se tërheqja do të fillojë më 1 maj dhe se do të tërhiqen plotësisht deri më 11 shtator.//AA