Gjeneral Lejtnant Michele Carbone, drejtori i Drejtorisë së Hetimit Antimafia të Italisë (DIA) ka qenë këtë të premte në Tiranë dhe ka zhvilluar një vizitë zyrtare në ambientet e Policisë së Shtetit, ku është pritur nga kryepolici Ilir Proda.

Gjatë këtij takimi, të dy drejtuesit vlerësuan lart bashkëpunimin e deritanishëm ndërinstitucional mes Policisë së Shtetit, DIA-s dhe Policisë italiane. 

Gjeneral Lejtnant Carbone çmoi rolin, profesionalizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe theksoi se ngritja dhe funksionimi i 14 skuadrave të përbashkëta hetimore, operacionet e suksesshme të përbashkëta, puna e përbashkët për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të kanabisit, si dhe kapja e personave në kërkim ndërkombëtar janë dëshmi konkrete e këtij angazhimi. 

Ndërkohë, drejtori i Ilir Proda falënderoi Gjeneral Lejtnant Carbone, për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Policisë italiane.

Ai theksoi se Policia e Shtetit sot është një institucion profesional, i besueshëm dhe partner i barabartë në bashkëpunimet rajonale dhe ndërkombëtare për sigurinë publike dhe luftën kundër krimit të organizuar me qëllim sundimin e ligjit. 

Të dy drejtuesit vlerësuan gjithashtu kontributin e Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Tiranë dhe të Zyrës së Interforcës italiane në Shqipëri, për rolin e tyre në koordinimin dhe nxitjen e bashkëpunimit përmes Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Gjeneral Lejtnant Carbone dhe Drejtues Madhor Proda u dakordësuan që ky bashkëpunim model duhet të thellohet dhe të zgjerohet më tej në të gjitha fushat me interes të përbashkët, kryesisht në shtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, duke e konsideruar një shembull të shkëlqyer për t’u ndjekur. 

Në përbërje të delegacionit italian ishin Drejtuesja e Lartë e Policisë italiane, znj. Lorena di Galante – zv.drejtore e DIA-s; Gjeneral Brigade Renzo Nisi – Komandant i Departamentit III të DIA-s; si dhe drejtues të tjerë të strukturave partnere të specializuara në hetimet antimafia.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni italian shoqërohet nga drejtues dhe ekspertë të Zyrës së Sigurisë pranë Ambasadës italiane dhe të Guardia di Finanza, të akredituar në vendin tonë.