Erion Murataj PSD

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka vijuar edhe sot me dëshminë e tij në GJKKO. Procesi ndodhet në fazën e pyetjeve që shtrohen nga avokatët për Dumanin lidhur me episode të ndryshme.

I pyetur nga avokatja Elda Zotaj nëse ka dhënë deklarime në policinë e Elbasanit në momentin e arrestimit, Dumani tha se nuk u ka kthyer përgjigje personave që i konsideron të korruptuar.

Avokatja Elda Zotaj: A keni dhënë deklarime para policisë në Elbasan kur u arrestuat?

Dumani: Nuk i kam kthyer përgjigje të korruptuarve.

Avokatja Elda Zotaj: A keni dhënë deklarime para prokurorisë në Elbasan kur u arrestuat?

Dumani: Kur jam arrestuar më çuan në spitalin e Fierit, isha i plagosur. Pastaj shkova në spitalin ushtarak. Tre persona, Ardian Çipa, Tonin Vocaj dhe Kreshnik Ajazi erdhën të më takonin. Pas arrestimit, deklarimet e para i kam bërë te spitali i burgut.

Nuredin Dumani u arrestua më 29 mars 2022 nga forcat RENEA dhe policia e Fierit. Operacioni për kapjen e tij nisi pas një atentati të dështuar rreth orës 17:35 të 29 marsit 2022 pranë fshatit Papër, në vendin e quajtur “Ura e Zezë”, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër,  e cila të lidh me qytetin e Cërrikut.

Dumani ndodhej në një makinë tip “BMW”  drejt së cilës u qëllua me armë zjarri. Dumani u arresua disa orë pas ngjarjes, rrett orës 22:25 në lagjen “Apollonia” në Fier. Ai ishte i plagosur. Ditën e sotme, 25 mars, ka rrëfyer në GJKKO se si ndodhi ngjarja.

Nuredin Dumani: Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova isha shofer. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5 kur u plagosa. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Në të njëjtën ditë u bë shit-blerja.

Në 2019 një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishte shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj. Një ditë para ngjarjes bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier. Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallash. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, me thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di.