Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur për kryebashkiak të Tiranës, Florian Binaj.
Shehaj, edhe pse pati rezerva për negociatat me PD-në, për të cilat tha se “u pre në besë”, deklaroi se do ta mbështesë kandidaturën e Binajt, pasi ai plotëson të gjithë kriteret për të cilat forcat opozitare kishin rënë dakord, ndërkohë që deklaroi se beson që fitorja është plotësisht e mundur me këtë kandidat.
Kujtojmë se Florian Binaj është mbështetur edhe nga Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, Nisma Thurje e Shabanit dhe partitë e tjera aleate me PD-në, një formulë e re ku një kandidat i pavarur, duket se ka unifikuar opozitën.
“Pavarësisht problemeve që mund të kemi me PD, qëllimi është ti japim Tiranës një kandidat të pakorruptuar. Do ta mbështesim Binajn sikur të kishte qenë emër i propozuar nga ne. Mbështetja ndaj Binajt do të jetë në të gjithë format që ai e gjykon të nevojshme. Do ta mbështesim sikur të ketë qenë kandidati ynë.
Jam i bindur që Binaj duhet të bëjë një fushatë jo me kryetarët e partive, por me qytetarët. Është në dorën e tij të thotë ju dua apo nuk ju dua.
Jam i bindur që formula që kemi zgjedhur është fituese dhe ky kandidat mund të fitojë dhe ne do të punojmë që ai të fitojë! Jam i bindur 100 përqind që mund të fitojmë dhe ky emër do të marrë rezultatin më të mirë”, tha ndër të tjera Shehaj.
Kandidaturën e Binajt e ka mbështetur edhe Ermal Hasimja, një nga personat që u përmend vazhdimisht si një kandidat potencial në këto zgjedhje.
Kujtojmë se në garën e Tiranës, kandidon Ogerta Manastirliu nga Partia Socialiste, Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë dhe Florian Binaj, si kandidat i pavarur, por i mbështetur nga një front i gjerë opozitar.