Reshjet e ditëve të fundit kanë shembur një segment rrugor prej 20 metrash në rrugën e re të rikonstruktuar të fshatit Usojë të bashkisë Mallakastër, ndërsa asfalti ka përfunduar në oborrin e një banese private.Reshjet nxorën në pah atë që banorët kishin frikë prej kohësh: mungesën e standardeve dhe të elementëve bazë teknikë, si mosndërtimi i mureve mbajtës për mbrojtjen nga erozioni dhe mungesën e kanaleve kulluese anësorë. Rrëshkitja e asfaltit ndodhi rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, duke rrezikuar banesën e familjes Kamaj. Fatmirësisht, në ato momente nuk ka qenë asnjë nga anëtarët e familjes në oborrin e banesës, thotë Bektash Kamaj, ndërsa thekson se për shembjen e rrugës është njoftuar nga prindërit e alarmuar.
Aktualisht rruga është e pakalueshme, ndërkohë që përgjegjësi i infrastrukturës në drejtorinë e bashkisë Mallakastër, Kasëm Saliaj, pohon se është duke u punuar për pastrimin e inerteve nga oborri i banesës dhe është lajmëruar firma zbatuese e projektit, e cila pritet të ndërhyjë ditën e nesërme.Ndërkohë, banorët e Usojës nuk fshehin zhgënjimin për rrugën e shembur, e cila sipas tyre rrezikon edhe në segmente të tjera.






