Home AKTUALITET SHËNDET Shëndeti mendor dhe Covid-19. Ankthi dhe stresi manifestojnë shqetësime afatgjata te qytetarët

Shëndeti mendor dhe Covid-19. Ankthi dhe stresi manifestojnë shqetësime afatgjata te qytetarët

28

Covid-19, përveç infektimeve dhe vdekjeve, po dëmton shëndetin mendor të njerëzve. E panjohura nga përhapja e koronavirusit, humbja e punës apo izolimi nga kontaktet fizike manifestojnë stres të fuqishëm me pasoja afatgjata te qytetarët.

Gerald Rockenschaub, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri: “Ajo që do të doja të theksoja lidhet sigurisht me pandeminë e Covid-19, e cila ka krijuar nivele të larta të stresit, pasiguri ekonomike, shqetësime serioze mjekësore dhe nivele të larta të ankthit, sidomos te ata që punojnë në frontin e parë. Domethënë, punonjësit shëndetësorë, por edhe ata që kanë punuar nga afër me profesionistët e mjekësisë këtu në Shqipëri”.

E teksa nga njëra anë diskutohet mbi masat mbrojtëse ndaj Covid-19, në linjë të ngjashme zhvillohen edhe përpjekjet për të gjetur “formula” në mbrojtje të shëndetit mendor. Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje me praninë e përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri dhe ekspertëve të tjerë të fushës, u fol mbi ndikimin e artit dhe krijimtarisë, për të përballuar dhe menaxhuar stresin që Covid-19 ka krijuar.

Në takimin e zhvilluar në sallën COD ishte i pranishëm autori i veprave të ekspozitës “Pandemic Storytelling”, Ardian Xinxo, i cili ndërthur artin dhe shkencën si një nevojë për të qenë më njerëzorë në përjetimet tona.