Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e bërë një ditë më parë në Lushnjë, ku u plagos me 2 plumba në bark 44-vjeçari Kujtim Meta.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se nga hetimet paraprake rezulton se Meta ishte mik i ngushtë me Besmir Hidën, me këtë të fundit që u ekzekutua në vitin 2019. Hida gjithashtu është daja i Zamir Latifit, që u ekzekutua në masakrën e Lushnjës në 2017.

Për masakrën, një prej emrave të akuzuar është Laert Haxhiu, i cili është mes emrave të shumëkërkuarve të momentit nga Policia e Shtetit. Kujtojmë që për masakrën e Lushnjës, është dënuar Orger Bilbili dhe Anterio Kaloshi, e madje, bëhet e ditur se hetimet për atentatit janë fokusuar rreth këtyre dinamikave.

Si ndodhi atentati

Kujtim Mema është plagosur në bark, ku ka marrë 2 plumba dhe pas ndihmës së parë në spitalin e Lushnjës është dërguar në Tiranë.

Autori lëvizte më këmbë dhe ka qenë i vetëm. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe lokalit ku ka ndodhur ngjarje. Janë marrë në pyetje dhe disa dëshmitarë. Ata kanë pohuar se ka qenë një person që lëvizte më këmbë dhe ka qëlluar disa herë, jo në drejtim të 44-vjeçarit. Për këtë arsye, policia ka ngritur disa postblloqe dhe i është vënë pas autorit, ndërkohë që pritet që pamjet e kamerave të sigurisë të ndihmojnë në zbardhjen e krimit. /Syri.net