Sot Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka zgjedhur Edi Palokën si kryetarin e ri të këtij institucioni. Por në një video, të siguruar nga Panorama.al tregohet momenti sesi anëtaret e Komisionit plotësojnë procesverbalin pasi kanë numëruar fletët e votimit.

Në video duket se numëruesit nuk janë të sigurt sesa anëtarë kanë qenë prezent dhe njëri prej tyre thotë 211, ndërsa një tjetër 250 duke mos treguar vendosmëri.

“Fletë votimi gjithsej 211”, thotë një anëtar.

Jo jo – thotë anëtari tjetër- kanë qenë më shumë, futja 300”

“Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty, e rrumbullakosim pastaj”, dëgjohen të thonë ata.

Kujtojmë që i gjithë procesi i votimit dhe numërimit ka qenë i hapur për mediat.

Ndërkohë sipas procesverbalit të rezultateve të votimit, nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar, ishin 203 anëtarë prezentë, një numër shumë më i lartë se kuorumi i nevojshëm.

Njoftimi i PD-së

Partia Demokratike për herë të parë publikon në transparencë të plotë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, diskutimet, dhe procesin e votimit dhe numërimit për Kryetar të Këshillit Kombëtar.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike zgjodhi Kryetarin e saj, Edi Paloka, i cili garoi përballë kandidates Eleina Qirici.

Anëtarët e Këshillit në nisje të punimeve firmosën prezencën e tyre manualisht dhe në memorien digjitale.Nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar, punimet nisën me 203 anëtarë prezent, numër shumë më i lartë se kuorumi i nevojshëm.

Në një proçes tërësisht transparent, votuan 211 anëtarë të Këshillit Kombëtar.

Në bazë të rezultateve të votimit, Edi Paloka mori 132 vota kurse kandidatja Eleina Qirici 79 vota.

Në fund të procesit, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale publikon procesverbalin e rezultateve të votimit