Në Greqi është regjistruar rasti i parë me linë e majmunit, një sëmundje ngjitëse infektive e zakonshme në Afrikë. Kanë qenë autoritetet shëndetësore greke që dhanë alarmin për rastin e parë. Dhe sipas tyre, bëhet fjalë për një turist 29-vjeçar, i cili së bashku me partneren e tij ka udhëtuar për pushime në Kefalonia.
Ai ka shfaqur skuqje të lëkurës dhe simptoma të tjera, që sipas mjekëve grekë, lidhen me linë e majmunit. Megjithatë, autoritetet shëndetësore greke do të dërgojnë në laborator analizat për të konfirmuar zyrtarisht sëmundjen.
Ndërkohë, OBSH lajmëroi sot se lija e majmunit është përhapur edhe në disa shtete të tjera të Europës, si në Spanjë, Belgjikë, Francë e Gjermani. Lija e majmunit përhapet përmes kontaktit të afërt dhe rastet më të rënda janë tek fëmijët dhe ata persona me imunitet të dobët.