
Partia Demokratike dega Elbasan ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur një natë më parë ku gjatë mitingut përmbyllës të demokratëve një grup të rinjsh u përfshinë në një konflikt i cili degradoi deri në përdorimin e dhunës ku dhe mbeti i plagosur djali i Luçiano Boçit, Parid Boçi.
Sipas demokratëve kjo ngjarje nuk ka prapavija politike, por ka qenë thjesht një konflikt mes disa të rinjve për arsye banale. Gjithashtu, përmes këtij njoftimi zyrtar PD hedh poshtë edhe aludimet që kanë qarkulluar nëpër media se përplasje kishte ndodhur mes grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike.
“Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin e demokratëve.
Ky reagim nga demokratët është përmbyllur me një thirrje për të gjithë qytetarët që të mos bien pre e manipulimeve dhe të fokusohen te qëllimi i tyre i përbashkët, fitorja më 11 Maj.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike.
Fatkeqësisht, ky episod i izoluar u përdor me shpejtësi nga qarqe të afërta me mazhorancën për ta politizuar dhe për të njollosur suksesin e këtij takimi madhështor,ku qytetarët e Elbasanit treguan mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për Prof. Dr. Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.
Partia Demokratike Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos ndikohen nga manipulime të tilla keqdashëse dhe të mbeten të fokusuar tek qëllimi ynë i përbashkët: fitorja e vlerave demokratike dhe ndryshimi që Elbasani dhe Shqipëria meritojnë.
Kujtojmë se ngjarja u regjistrua gjatë mbrëmjes të së mërkurës ku në mitingun përmbyllës të demokratëve në Elbasan një grup të rinj u konfliktuan me njëri-tjetrin.
Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur djali i drejtuesit politik të PD në Shkodër, Luçiano Boçit, i cili menjëherë u dërgua në spital, por fatmirësisht kishte marrë dëmtime të lehta.
