Nënkryetari i PD Kreshnik Çollaku në një dalje për mediat, ka komentuar debatin që pati më herët me deputetin Dashnor Sula. Duke e cilësuar si një incident të turpshëm, ai shtoi se përfituesi më i madh i kësaj historie është Edi Rama.
“Sqaroj opinionin publik lidhur me incidentin e turpshëm që ndodhi sot. Kam 30 vjet i angazhuar në politikë. Nuk flas për veten, por mbase sot është dita. Jam një prej studentëve të dhjetorit ’90. Jam themelues i PD-së dhe një prej drejtuesve të forumeve rinore që mes armëve organizonim rezistencë në kushte kur jeta nuk ishte e sigurtë.
Kam dashur një PD evropiane dhe të reformuar. Nuk kam pasur pengesë për të thënë idetë e mia. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do gjendesha në një situatë të tillë. Unë jam anëtar i komisionit për Çështjet Evropiane. Kam marrë pjesë si i ftuar nga kryetarja Tabaku.
U gjenda në sallë me një situatë surprizë, mbledhja drejtohej nga nënkryetarja dhe të pranishëm ishin ish-kolegë që s’janë anëtarë të komisionit, por nuk u shqetësova. Për shkak të rrëmujës, edhe pse unë e mbështes kërkesën e tyre për komisionet parlamentare, nuk arrita dot të dëgjoja ministren për integrimin dhe t’i thoja se qeveria e Ramës është përgjegjëse për vonesën e plotësimit të hapave për integrimin”, u shpreh ai.