Pas përfundimit të ndeshjes së djeshme mes Vllaznisë dhe Teutës, në stadiumin “Loro Boriçi”, janë regjistruar përplasje mes tifozëve të dy skuadrave.
Konflikti ka nisur menjëherë pas përfundimit të takimit, ndërsa gjatë 90 minutave nuk kanë munguar fyerjet dhe tensionet nga të dyja palët, çka ka çuar më pas në përshkallëzim të situatës.
Si pasojë e përleshjeve, 1 tifoz durrsak ka mbetur i lënduar dhe eshte transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje ka ndërhyrë policia, e cila ka shoqëruar disa tifozë si nga radhët e Vllaznisë ashtu edhe të Teutës, me qëllim zbardhjen e plotë të incidentit dhe vendosjen e përgjegjësive.
Ndërkohë, sot Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka bërë të ditur një sërë rastesh të referuara në Prokurori, që lidhen me incidente në aktivitete sportive dhe shkelje të tjera ligjore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër nisën procedim penal në gjendje të lirë për gjashtë shtetas nga Durrësi, të moshave 20–23 vjeç, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Ngjarja ka ndodhur më 12 prill 2026, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Vllaznia dhe Teuta, e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.
Sipas policisë, këta shtetas kanë dëmtuar disa stola në tribunat E4 dhe E5, të cilat më pas i kanë hedhur në ambientet e brendshme të fushës.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
© SYRI.net






