Të plagosur kanë mbetur shtetasit Gentian Diva dhe Alban Skonja, ndërkohë që është arrestuar Andi Diva, nipi i Gentianit. Ky i fundit ka qëlluar me armë në drejtim të palës tjetër, të cilët kanë mundur që të shpëtojnë nga policia, edhe pse kanë plagosur dy persona.

Si autorë të dyshuar të plagosjes së dyfishtë, janë shpallur në kërkim shtetasit Kastriot Lleshaj dhe Armando Lleshaj, kushërinj me njëri tjetrin, të cilët dyshohet se po ashtu janë banorë të zonës.

Konflikti ka nisur pasi personat që kanë shpallur në kërkim, kanë ngacmuar një vajzë që ishte në shoqërinë e personave të plagosur. Kaq është dashur që grupet rivale të nxjerrin armët mes tyre, dhe sherri vijoi në mes të Mamurrasit.

Sa i takon emrit të Gentian Divës ai nuk është i panjohur për policinë, pasi ka vuajtur një dënim prej afro 20 vitesh burg për një vrasje të ndodhur në vitet 2000. Ai së bashku me një person tjetër, vranë shoferin e një kamioni që udhëtonte drejt Kukësit, me qëllim grabitjen e tij.

Gentian Diva kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, ndërkohë që dhe vëllai i tij Enver Diva është përfshirë në një ngjarje të bujshme kriminale.

Enver Diva u mor i pandehur për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës.

(E.K/Faxweb.al)