Më në fund momenti erdhi. Ke gjithë vitin që mbledh para dhe prej javësh të tëra je kujdesur për të planifikuar vendin e pushimeve, rrobat e banjës, peshqirin dhe madje pozat e fotove që do bësh. Papritur, moti përkëdhelet dhe fillon stuhia kur ti je shtrirë në shezlong. Ç’të bësh?!
- Si fillim, prano dhe vlerëso çdo pikë shiu!
Shiu në verë është më i bukur se në çdo stinë tjetër! Era e tokës së lagur pas vapës së tmerrshme, deti që nervozohet dhe bëhet kaq perfekt për foto dhe natyra gri..Nuk ju duhet asnjë çadër, veçse një aparat. Do të bëni videot dhe fotot më të bukura ndonjëherë kështu që, shijojeni!
- SPA gjithë ditën dhe natën!
Nëse po qëndroni në hotel dhe koha jashtë s’ju pëlqen fare po fare, shfrytëzoni mundwsitw e hotelit. Disa orë të mira në SPA do t’ju rigjeneronin. Një scrub fytyre a një masazh i mirë, ndërkohë që jashtë bie shi…
- Mos ndaloni së kërkuari diellin!
Është koha për aventurë! Nëse në plazhin tuaj po bie shi dhe s’ka ndërmend të pushojë, merrni miqtë dhe nisuni. Shirat e verës janë kryesisht lokalë dhe dihet që diku atje rrotull ka akoma diell dhe det të mirë. Merrni gjithçka që ju duhet, volumin në fund dhe nisuni për ditën më të paparë!
- Mos t’ju shkojë ndërmend të hiqni dorë nga deti!
Ju kujtohet që pak më lart ju thamë ta vlerësonit shiun? Epo nuk quhet që e keni bërë nëse nuk notoni bashkë me të, pa ju interesuar sa po lageni apo jo.
Kujtojini asaj shprehjen: “Jeta s’është për të pritur stuhinë që të kalojë, por për të mësur si kërcehet në shi!”