Një trafikant droge që luajti një “rol kyç” në mbushjen e rajonit të Midlands me kokainë në emër të një grupi kriminal shqiptar, është dënuar me burg.
Shtetasi me iniciale K. M. u arrestua në Rugeley në prill, kur policia e ndaloi në një automjet. 35-vjeçari u kap me katër qese të vogla me kokainë në posedim. Ai tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke gënjyer, duke thënë se lënda narkotike e klasit A ishte për përdorim personal. Por oficerët zbuluan në telefonin e tij mesazhe që reklamonin shitjen e kokainës dhe kanabisit.
Automjeti që K. M. po drejtonte ishte i siguruar në emër të dikujt tjetër. Shtetasi K. M., me banim në Birkenhead, Merseyside, u akuzua për:
-Përdorim droge me qëllim shitjeje (kokainë)
-Përfshirje në rrjetin e shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit
-Përdorim automjeti pa siguracion të palës së tretë
Ai pranoi fajësinë në gjykatë më 23 maj, dhe u dënua me 3 vite e gjysmë burg më 26 shtator, nga Gjykata e Lartë e Staffordit. Një zëdhënës i Policisë së Staffordshire tha: “Gjatë hetimit tonë, zbuluam se K. M. kishte një rol kyç në aktivitetin e një rrjeti të organizuar kriminal. Ai ishte përgjegjës për shitjen e drogës te klientët në Angli në emër të një grupi kriminal shqiptar.
Ne siguruam provat e nevojshme për ta akuzuar atë për veprat penale të posedimit me qëllim shitjeje, përfshirjes në rrjetin e shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit, si dhe për drejtimin e automjetit pa siguracion.”
“Që nga nisja e operacionit tonë të posaçëm kundër krimit të organizuar në maj 2023, mbi 1,000 persona janë arrestuar në Staffordshire, të dyshuar për vepra penale që lidhen me drogën dhe armët.
Po punojmë çdo ditë për të goditur fuqishëm ata që përfshihen në krimin e organizuar.”