Një grua nga Afrika e Jugut është dënuar me burgim të përjetshëm, së bashku me dy bashkëpunëtorët e saj për trafikimin seksual të vajzës së saj atëherë 6-vjeçare, raporton BBC.

Dënimet me burg për Racquel “Kelly” Smith, të dashurin e saj Jacquen Appollis dhe mikun e tyre Steveno van Rhyn vijnë më shumë se një vit pasi Joshlin Smith u zhduk në mënyrë misterioze jashtë shtëpisë së saj në Gjirin Saldanha, pranë Cape Town.

Pavarësisht një kërkimi të publikuar për vajzën, e cila u zhduk në shkurt të vitit 2024, ajo ende nuk është gjetur. Prokurorët e Afrikës së Jugut thonë se ajo u shit si skllave, megjithatë kjo nuk u provua përfundimisht gjatë gjyqit.

Gjatë seancës, Smith pranoi se ia shiti vajzën e saj për 20,000 rand (1,100 dollarë) një shëruesi tradicional të njohur si “sangoma”, i cili pretendonte se ishte i interesuar për “sytë dhe lëkurën” e vajzës.

Dënimi vjen pas një gjyqi tetë-javor që e tërhoqi vëmendjen Afrikës së Jugut, me dëshmitarë dhe prokurorë që bënë një numër akuzash tronditëse.

Smith, 35 vjeçe, dhe bashkëpunëtorët e saj nuk treguan emocione ndërsa dënimet e tyre u lexuan në qendrën komunitare në Saldanha ku u mbajt gjyqi. Salla e gjyqit shpërtheu në duartrokitje ndërsa u shpall vendimi. 

Policia tha se kërkimi për vajzën e vogël do të vazhdojë, madje edhe përtej kufijve të Afrikës së Jugut.