Në 2020-n, të ardhurat nga shitjet të bizneseve shënuan rënie me 116 miliardë (932 milionë euro) në krahasim me vitin 2019 raportoi INSTAT në të dhënat paraprake të Anketës Strukturorë të Ndërmarrjeve.
Xhiroja totale e bizneseve arriti në 18,4 miliardë euro me tkurrje 5.1 për qind në krahasim me vitin 2019.
Rënia e aktivitetit lidhet me efektet negative të pandemisë Covid-19, ku gjatë gjysmës së parë shumica e bizneseve mbyllen tërësisht aktivitetin për gati tre muaj, ndërsa kufizimet në lëvizje që shoqëruan të gjithë vitin 2020 shkaktuan tkurrje të shitjeve, sidomos në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve në tërësi.
Gjithashtu ndërmarrjet prodhuese në vend tkurren shitjet si pasojë e rënies së kërkesës nga jashtë dhe vështirësive në transport si pasojë e kufizimeve.
Kontributin më të madh në rënien prej 5,1 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me -3,1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me -2,0 pikë përqindje.
Gjatë vitit 2020, sektori i tregtisë zuri peshën më të lartë të shitjeve neto me 48,0 %, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 12,0 %. Sektorët me peshën më të vogël ishin sektori i industrisë nxjerrëse (2,3 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,5 %).