Garda Civile në bashkëpunim me Karabinierët dhe Guardia di Finanza me mbështetjen e DIA (Direzione Investigativa Antimafia) kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Dragon Ball.”

Operacioni është kryer në dy faza, më 13 dhe 17 shtator dhe kanë marrë pjesë 400 agjentë të Gardës Civile në Ibiza, Malaga, Barcelona dhe Tenerife.

Njësitë policore kanë ndërhyrë me drone dhe pajisje të sofistikuara, raporton abcnews.al.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, armë zjarri, sasi të mëdha parash dhe dokumente që mund të lidhen me pastrim parash nga veprimtari kriminale.

Objektivi i këtij operacioni kanë qenë dy organizata kriminale, njëra me origjinë italiane dhe tjetra me origjinë shqiptare , me bazë në ishullin Ibiza dhe me degë në zona të tjera të Spanjës dhe jashtë saj.

Rezultati i operacionit

Rezultati përfundimtar i operacionit ka konsistuar në çmontimin e dy prej organizatave kriminale më të rëndësishme të dedikuara për trafikun e drogës që vepronin në ishullin Ibiza dhe futjen në treg të 94500 dozave MDMA dhe kokaine, me vlerë 4.1 milionë euro. Gjithashtu është konfiskuar  edhe pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme me vlerë të përafërt 22 milionë euro.

Janë bërë gjithsej 32 arrestime , përfshirë shtetas italianë, shqiptarë dhe hungarezë, si dhe janë kryer 42 kontrolle pronash, 38 në Ibiza, 1 në Barcelonë, 2 në Malaga dhe 1 në Tenerife. Droga e sekuestruar arrin në 18 kilogramë metamfetaminë me të cilën mund të ishin prodhuar 870 mijë pilula ekstazi, 4,5 kilogramë kokainë, një plantacion kanabisi, me 600 bimë marihuanë, sasi të konsiderueshme substancash të tjera dhe mjete peshimi.

Gjithashtu janë konfiskuar dy armë zjarri, 330 mijë euro para cash dhe 23 automjete të tipit të lartë.

Gjithashtu janë bllokuar 116 llogari rrjedhëse dhe 15 prona të përdorura për pastrim parash.

Ndër objektet e sekuestruara ishin ora luksoze (të markave Bulgari, Rolex dhe Cartier), bizhuteri, dokumente që lidhen me llogari bankare jashtë vendit, dokumente false identiteti, frenues frekuencash, një mori celularësh, memorie USB, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.

Organizatat kriminale

Organizata kriminale e zbërthyer me origjinë italiane është e lidhur me “Ndranghetën” e dedikuar për trafikun e drogës në shkallë ndërkombëtare.

Destinacioni i drogës ishte kryesisht Italia dhe Spanja dhe vinte direkt nga Amerika e Jugut, raporton abcnews.al.

Anëtarët e kësaj organizate shquhen për përdorimin e dhunës, kanë përdorur metoda si tortura, madje kanë kryer edhe vrasje në Itali. Gjatë hetimeve është evidentuar mbajtja e armëve të zjarrit nga të ndaluarit në Ibiza, shkruajnë mediet e huaja. 

Sa i përket organizatës shqiptare të shpërbërë, karakterizohej  nga të njëjtat metoda të dhunshme si ajo italiane.

Të dyja organizatat investuan fitimet e tyre përkatëse në prona të paluajtshme në destinacionet kryesore turistike në Evropë, ndër të cilat spikat ishulli Ibiza./Abcnews.al./