Me disa nga shpehjet e saj më të njohura, kryeministri Edi Rama ka përkujtuar Nënë Terezën, në datën e shenjtërimit të saj. Shprehjet që kanë të bëjnë me jetën, familjen, dhe veprat e mira që bëjnë njerëzit, janë lexuar nga aktorja e madhe Margarita Xhepa.

Postimi i Ramës:

MIRËMËNGJES dhe me këtë videokujtesë në Ditën e Shenjtërimit të gruas që u njehsua me dashurinë e Zotit, Nënë Terezës shqiptare, treguar me zërin margaritar të një zonje shqiptare të skenës, Margarita Xhepës, ju uroj një të diel të paqtë

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fedirama.al%2Fvideos%2F275712467420725%2F&show_text=false&width=560&t=0

Më 5 shtator 2016, në një ceremoni madhëstore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e Nënë Terezës, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Nënë Tereza udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit u shpreh se: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën.