Bandat kriminale po vijojnë të bëjnë kërdinë në Meksikë, teksa këtë herë viktima kanë mbetur artistët.
Një grup muzikor është vrarë nga karteli kriminal meksikan, teksa ishin ftuar të këndonin në një lokal.
Pesë anëtarë të grupit muzikor Fugitivo, dyshohet se u rrëmbyen dhe u vranë nga Karteli i Gjirit, një nga organizatat më të dhunshme të trafikut të drogës në Meksikë.
Sipas autoriteteve vendase trupat e muzikantëve u gjetën pas disa ditësh hetimesh. Nëntë persona janë arrestuar si përgjegjës të vrasjes së rëndë.
Pesë muzikantët, të moshës 20 deri në 40 vjeç, ishin raportuar të zhdukur pasi kishin shkuar për të performuar në një lokal në qytetin Reynosa të dielën.
Një nga motrat e viktimave deklaroi për mediat meksikane se ishte kërcënuar me telefonata nga persona të panjohur dhe kishte raportuar gjithashtu vjedhjen e dy automjeteve që i përkisnin grupit.
Tronditur nga ngjarja, familjarët dhe muzikantë të tjerë organizuan një protestë para bashkisë së Reynosa-s, madje përkohësisht bllokuan edhe urën që lidh qytetin me Farr, në Teksas.
Karteli i Gjirit, i dyshuar si autor i ngjarjes, është një nga tetë organizatat kriminale latino-amerikane që u përfshinë në shkurt në listën e zezë të “organizatave terroriste të huaja” nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.