Policia Rrugore e Tiranës ka gjobitur me 400 mijë lekë të vjetëra drejtuesin e një motori i cili lëvizi me shpejtësi tepër të madhe në rrugën “Migjeni”.
Drejtuesi i këtij motori u regjistrua në një video e cila u bë publike në rrjetet sociale nga qytetarët. Ndërkohë policia ka proceduar dhe 4 persona të tjerë për gara shpejtësie apo zhurma shqetësuese.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Nisur nga shqetësimet e përsëritura të qytetareve, për zhurmat shqetësuese dhe garat e shpejtësisë në orët e vona të darkës në rrugën “Migjeni”, Policia Rrugore e Tiranës ka organizuar kontrolle të befasishme të alternuara edhe me mjete te pauniformuara me qëllim identifikimin e mjeteve që ishin kthyer në shqetësim dhe rrezik serioz për banorët pranë rrugës “Migjeni”.
Nga kontrollet policore, ditët e fundit janë konstatuar dhe proceduar 5 mjete të ndryshme për gara shpejtësie dhe zhurma shqetësuese, nga të cilat dy motomjete, njëri prej të cilëve shfaqet në pamjet e adresuara nga qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale duke bërë gara shpejtesie dhe manovra të rrezikshme në orët e vona në rrugën “Migjeni”.
Policia e Shtetit është e vendosur dhe e angazhuar tërësisht për të krijuar një ambient social të sigurt si dhe gjen mundësinë edhe njëherë të falenderojë qytetarët për besimin dhe denoncimet e shumta të adresuara në lidhje me rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe të cdo paligjshmërie tjetër që konstatohet.
Gjithashtu Policia e Shtetit apelon për më shumë kujdes nga drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor duke mbrojtur jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.