Katër persona kanë rënë në prangat e policisë në Dhërmi për drogë. Policia njofton se personat në fjalë, tre shqiptarë të Kosovës dhe një gjerman, u arrestuan pasi u kapën në flagrancë duke shitur doza të llojeve të ndryshme drogërash gjatë një festivali që po mbahej në Dhërmi.
Pas marrjes së informacionit, policia ka ndërhyrë në perimetrin ku po zhvillohej festivali duke arrestuar të 4 personat. Këta shtetas siguronin droga të ndryshme, i ndanin ato në doza të cilat i shitnin te turistët dhe pushuesit, të cilët po ndiqnin një festival të organizuar në Dhërmi.
Me cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, MDMA dhe ekstazi, 151 qese farmaceutike dhe peshore elektronike që shërbenin për ndarjen e lëndëve narkotike, në doza, 4250 euro dhe 101 900 lekë, një automjet, 4 celularë dhe një kartëmonedhë 20 euro false./abcnews.al