Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit pasi shpërndante drogëra të forta. Në pranga përfundoi i riu Saimir Zotkaj të cilit iu gjet heroinë dhe kokainë të ndara në doza, gati për shitje, si dhe një shumë parash e përfituar nga tregtimi i tyre.
Njoftimi i policise:
Durrës/Sekuestrohen sasi drogash të forta, heroinë e kokainë, të ndara në doza, gati për shitje, si dhe një shumë parash e përfituar nga tregtimi i tyre.
Finalizohet nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Durrës, operacioni policor i koduar “October”. Evidentohet dhe goditet një rast i veprimtarive kriminale të prodhimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike.
Vihet në pranga 32-vjeçari, i cili mbante doza heroine dhe kokaine, në automjet dhe sasi të tjera të këtyre lëndëve narkotike, në banesë.
Shërbimet e Policisë së Durrësit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, me fokus evidentimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “October”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-S. Z., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte 32-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje në lokalet e qytetit. Në vijim të operacionit “October”, u ushtrua kontroll edhe në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën dhe u sekuestruan 92 gr lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 170 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një peshore elektronike, automjeti që drejtonte i arrestuari, si dhe 800 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.