
Një 31-vjeçar është arrestuar në Kukës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale.
Mësohet se i riu me iniciale D.D., ishte dënuar me burg pasi shpërndante kokainë
“Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale. Kapet në Kukës një 31-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Kosova, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, paraditen e sotme është finalizuar një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, konkretisht:
Operacionalja 41, në kuadër të të cilit, nga ana e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë e mundur lokalizimi në qytetin e Kukësit, kapja dhe ndalimi me qëllim ekstradimi i shtetasit D. D., 31 vjeç, banues në Kukës. Ky shtetas rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Prishtinës/Kosovë, më datë 14.04.2025, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” për veprën penale “Shkelje e ligjit për lëndët narkotike (kokainë)”, të parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës.
Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar”, njofton policia.
