Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, ka rrëzuar kërkesën e përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Marash Logu, për të përjashtuar nga procesi anëtarin Ilirjan Rusmali. Më herët, gjatë proceseve të mëparshme Logu dhe Rusmali kanë debatuar me njëri-tjetrin.
Kjo është bërë shkak që përfaqësuesi ligjor i PD në Komision, të kërkojë përjashtimin e Ilirjan Rusmalit, duke pretenduar se ai ka mllefe të akumuluara ndër vite me Sali Berishën dhe gjatë procesit të shqyrtimit të ankesave, shpërthen në sharje dhe ofendime.
“Po ashtu, anëtari Rusmali, në pamundësi për të kontrolluar shpërthimet emocionale dhe bindjet e tij të brendshme ndaj pales ankuese, Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, degradon në sharje dhe ofendime personale ndaj përfaqësuesve ligjor të subjektit zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Sjellje, veprime dhe shprehje, të cilat jo vetëm cënojnë solemnitetin e shqyrtimit administrativ, por dëshmojnë për probleme të thella karakteriale, siç mund të jetë mllefi i akumuluar ndër vite i këtij anëtari ndaj Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, që e bën të humbasë objektivitetin dhe të mos ruajë etikën minimale të komunikimit njerëzor/institucional, që duhet të karakterizojë anëtarët e një trupe kolegjiale të një organi publik”, thuhej në shkresën zyrtare drejtuar KAS.
Megjithatë, kërkesa është rrëzuar nga anëtarët e tjerë të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, duke lejuar vijimin e procesit të shqyrtimit të ankesave për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu është shprehur në seancën e kaluar se Ilirjan Rusmali nuk është i paanshëm në shqyrtimin e kërkesave të PD në lidhje me ankimimet për rezultatet e zgjedhjeve në disa qarqe, pasi është këshilltar i Presidentit Bajram Begaj.
“Duam, proces të rregullt ligjor, që është paanshmëria”, është shprehur ai, por pavarësisht kësaj kërkesa është rrëzuar nga KAS.