Më në fund, Francesco Totti ka folur duke treguar të vërtetën e tij për shkaqet e ndarjes nga bashkëshortja Ilary Blasi pas 20 viteve në krahun e saj. Ish-kapiteni i Romës dhe kampioni i botës me Italinë, në një intervistë për “Corriere della Sera” vë theksin në faktin që ishte Blasi shkaku i ndarjes dhe jo ai.
“Nuk është e vërtetë që kam tradhëtuar unë. Kam lexuar shumë lajme të rreme këto javë dhe shumë prej tyre i kanë bërë të vuajnë fëmijët e mi, tani mjaft më! Kam përjetuar momente të vështira, fillimisht pasi lashë futbollin, më pas vdekja e babait nga COVID dhe kur kisha nevojë më shumë për të, bashkëshortja nuk ishte aty me mua.
Edhe unë kam fajet e mija sepse duhej t’i isha dedikuar më shumë. Shtatorin e vitit të kaluar nisën të qarkullonin zëra se ajo shoqërohej me më shumë se një person”, thekson Totti që sqaron më tej se ka zbuluar gjithashtu disa mesazhe të dyshimta në adresë të ish-bashkëshortes duke theksuar se parrukierja e saj është njeriu që di shumë në lidhje me jetën sekrete të Blasit.
Ai ndalet më pas te historia e re e nisur me Noemi Bocchin duke deklaruar se është ajo që i qëndroi pranë në momentet e depresionit sepse është pikërisht e kundërta e Ilary-t, ndërsa bën edhe një akuzë tjetër.
“Ajo ka marrë koleksionin tim të orëve ku ka edhe disa ekzemplarë Rolex me vlerë shumë të madhe. Bashkë me babain e saj i boshatisi të gjithë sirtarët. Gjithsesi, fëmijët tanë janë gjëja më e shtrenjtë në botë për mua dhe unë dua të gjej një marrëveshje përpara se të shkojmë në gjykatë”.