Gjashtë persona kanë ndërruar jetë pas shpërthimit të virusit Marburg në Ruandë.
Ministri i Shëndetësisë, Sabin Nsanzimana tha se shumica e viktimave ishin punonjës të kujdesit shëndetësor në një njësi të kujdesit intensiv spitalor.
Njëzet raste janë identifikuar që kur shpërthimi u konfirmua të premten, sipas medias së huaj.
Marburg, me një shkallë vdekshmërie deri në 88%, është nga e njëjta familje virusesh si Ebola.
Ai përhapet te njerëzit nga lakuriqët e natës dhe më pas përmes kontaktit me lëngjet trupore të individëve të infektuar.
Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje muskulore, diarre, të vjella dhe, në disa raste, vdekje nga humbja ekstreme e gjakut.
Nuk ka trajtime specifike ose një vaksinë për virusin, por një sërë produkte ilaçesh dhe terapish imune janë duke u zhvilluar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ruanda thotë se po intensifikon gjurmimin, mbikëqyrjen dhe testimin e kontakteve për të ndihmuar në frenimin e përhapjes.
Ministri i Shëndetësisë tha se zyrtarët po gjurmonin rreth 300 njerëz që kishin rënë në kontakt me individë të prekur nga virusi Marburg.
Ai u bëri thirrje njerëzve që të shmangin kontaktin fizik, për të ndihmuar në frenimin e përhapjes.
Autoritetet kanë këshilluar më parë publikun të qëndrojë vigjilent, të lajë duart me ujë të pastër dhe sapun ose dezinfektues dhe të raportojë të gjitha rastet e dyshuara.
Shumica e rasteve të raportuara kanë qenë në kryeqytetin Kigali.
Ambasada amerikane në qytet ka këshilluar punonjësit e saj të punojnë në distancë për javën e ardhshme.
Kjo është hera e parë që Marburg konfirmohet në Ruandë.
Tanzania fqinje raportoi një shpërthim në vitin 2023, ndërsa tre persona vdiqën në Ugandë në 2017.
Top Channel