Burgjet në vend kanë kaluar në gatishmëri pas shpërthimit me tritol mbrëmjen e së mërkurës (28 Maj) në IEPV e Fushë Krujës.

Lënda plasëse mësohet se ishte artizanale e krijuar me nitrat, ndërsa ka dyshime se është hedhur nga jashtë perimetrit të burgut në zonën ku ndodhej gjeneratori.

Pistat ku po heton policia janë tentativa e arratisjes ose krijimi i një rrëmuje në burgun e Fushë Krujës.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 dhe pranë zonës ku ndodhet gjeneratori u konstatua një gropë në tokë shkaktuar nga lënda plasëse.

Nga hetimet, sipas Drejtorisë së Burgjeve, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore.

“Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve”, thuhet në njoftim.

Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike të sigurisë, si edhe po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të çuar në identifikimin e autorëve.

Njoftimi:

Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.

Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.

Grupet hetimore ndodhen në ende në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Pamjet filmike të sigurisë janë administruar dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor. Gjithashtu, po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton siguri brenda regjimit të banuar nga të paraburgosurit dhe të dënuarit.