Erion Murataj PSD

Në vetëm pak orë Policia e Elbasanit ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur gjatë natës ku në një apartament të këtij qyteti u regjistrua një shpërthim me tritol.

Burime për mediat bëjnë me dije se nuk kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale, por me një tentativë nga pronarët e këtij apartamenti me qëllim për të përfituar azil në vendet e Bashkimit Europian.

Nga dëshmitë dhe provat e deri tanishme thuhet se familjarët që posedojnë këtë apartament rezultojnë që jetën e tyre e jetojnë mes Shqipërisë si dhe një vendi në BE. Burime të besueshme thonë se ata shkojnë gjithmonë në të njëjtin shtet dhe pas disa muajsh pune kthehen sërish në Shqipëri.

Si duket skenari i menduar nga kryefamiljari ka qenë që shpërthimin e banesës ta përdornin për të marrë azil në vendin ku dhe ata kalojnë pjesën më të madhe të muajve.

Kjo ngjarje mësohet se është inskenuar nga pronari i cili në bashkëpunim me nipin e tij kanë vendosur lëndën plasëse. Policia dhe prokuroria në kohë rekord kanë arritur ta zbardhin plotësisht ngjarjen dhe kanë dokumentuar prova dhe dëshmitë që e vërtetojnë këtë version.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në një apartament në afërsi të një blloku banimi në lagjen “Banesa”.

Lënda plasëse ishte vendosur në derën e një apartamenti dhe si pasojë e shpërthimit u regjistruan vetëm dëme materiale, ku përpos dëmtimeve të konsiderueshme në apartamentin ku dhe ishte vendosur tritoli, janë thyer edhe xhamat e banesave të komshinjve. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, pasi në momentin e ngjarjes në apartamentit ku dhe ishte vendosur lënda plasëse nuk kishte njerëz.