Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse që ka tronditur rreth orës 02:20 të mëngjesit zonën e bulevardit “Nënë Tereza” në Kamëz.

Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj mëson se shpërthimi ka ndodhur në pjesën mbrapa një restoranti, në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, kunetër.

Sasia që ka plasur ka qenë e vogël, pasi janë thyer disa xhama të fasadës.

Në kamerat e lokalit duket autori që afrohet dhe lë lëndën plasëse, i maskuar, dhe largohet me vrap në këmbë.

Pronarët deklarojnë se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk kanë asnjë ide se pse është vendosur lënda plasëse, ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.

/vizionplus.tv