Shqipëria ka marrë ditën sotme presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.  Në një viedo mesazh kryeministri Edi Rama deklaroi se demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës.

Ndër të tjera ai theksoi se po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe.

Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës.

U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë.

Në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.