Në rajon, popullsia me moshën më të vjetër është në Serbi

Shqipëria ka vijuar që të jetë një nga popullsisë më moshë më të re të Europës edhe për vitin 2020, ndonëse tendenca është drejt plakjes së popullsisë. Sipas Eurostat mosha mediane që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta, një me moshat nën moshën medianë dhe tjetra mbi moshën medianë ishte 37.2 vjeç në vitin 2020, duke e renditur popullsia e katërt më e re në Europë, pas Kosovës 30.5 vjeç), Turqisë (32.4) dhe Islandës (36.5).

Në rajon, popullsia me moshën më të vjetër është në Serbi (43.9 vjeç), ndërsa dhe shtetet e tjera si Mali i Zi dhe Maqedonia e veriut po i afrohen kufirit të 40 vjeç. Në Europë, popullsitë më të plakura, sipas Eurostat janë Italia, Gjermania të ndjekura nga Portugalia.

Sipas Eurostat, në vitin 2020, mosha mesatare e popullsisë së BE -së ishte 43.9 vjet. Në krahasim me vitin 2001 mosha mesatare u rrit me më shumë se 5 vjet (nga 38.4 vjet).

Ndonëse është ndër popullsisë më të reja të Europës edhe Shqipëria po plaket me shpejtësi. Të dhënat e Eurostat tregojnë se mosha mediane në vitin 2010 ishte 31.9 vjeç.

Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë se edhe në vitin 2021 kjo tendencë ka vijuar. Mosha mediane arriti në 37.6 vjeç në vitin 2021, duke u rritur me 4 muaj gjatë një viti, raportoi INSTAT.Deri në vitin 2060 mosha mediane pritet ti ketë kaluar të 50 vitet.

Studime të mëparshme të INSTAT e shpjegojnë rritjen e moshës mediane me tre faktorë kryesorë. E para rënia e numrit të lindjeve që po ul me shpejtësi popullatën e re në moshë. Së dyti emigracioni që në Shqipëri është tipar i moshave të reja po sjell tkurrjen e popullsisë poshtë 30 vjeç. Arsyeja e tretë lidhet me rritjen e jetëgjatësisë, e cila në mënyrë të natyrshme çon në rritje të popullsisë më të vjetër në moshë.